Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, një delegacion i të punësuarve të Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), i kryesuar nga drejtori Granit Osmani, realizoi një vizitë pune në Manastir.
Gjatë qëndrimit në këtë qytet, delegacioni vizitoi bibliotekën “Linkest”, ku u prit nga drejtuesja Emira Selimi dhe një grup nxënësish. Në takim u diskutua për rëndësinë e kultivimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe, si element thelbësor i identitetit kombëtar dhe kulturor. Me këtë rast, AZGJ dhuroi një numër të konsiderueshëm librash për bibliotekën, kryesisht botime të këtij institucioni.
Në kuadër të vizitës, delegacioni vizitoi edhe Shtëpia e Alfabetit, ku u prit nga drejtori Nuer Arsllani. Gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për projekte të përbashkëta në funksion të promovimit dhe avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe.
Drejtori i AZGJ-së, Granit Osmani, theksoi se aktivitete të tilla janë dëshmi e përkushtimit institucional për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare, duke e konsideruar atë si themel të identitetit dhe trashëgimisë kulturore.

