Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, po merr pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me komisioneren e Bashkimit Evropian për zgjerim, Marta Kos, i cili po mbahet sot në Tiranë. Ngjarja, që ka mbledhur krerët e rajonit në kuadër të iniciativës “Rruga jonë drejt BE-së”, synon të rishikojë dinamikat e procesit të integrimit, si dhe të forcojë koordinimin mes vendeve të rajonit për reformat kyçe në funksion të anëtarësimit.
Mickoski ka shpërndarë një mesazh për opinionin publik përmes Facebook-ut, ku theksoi se Shkupi zyrtar mbetet plotësisht i fokusuar në rrugën evropiane, pavarësisht sfidave politike dhe institucionale me të cilat po përballet vendi.
“Në Tiranë po zhvillohet Samiti i liderëve ‘Rruga jonë drejt BE-së’, një platformë e rëndësishme ku vendet e Ballkanit Perëndimor diskutojnë për sfidat dhe mundësitë në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian,” shkruan Mickoski. Ai nënvizon se takime të tilla janë thelbësore për harmonizimin e qëndrimeve dhe për rritjen e bashkëpunimit rajonal, që mbetet një nga prioritetet strategjike të qeverisë së tij.
Sipas kryeministrit, Maqedonia e Veriut është e vendosur të ruajë përkushtimin ndaj reformave dhe standardeve evropiane, duke i konsideruar ato si bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet afatgjatë. “Vendi ynë mbetet vendosmërisht i orientuar drejt integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit rajonal, si shtylla kyçe të vizionit tonë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të begatë”, thekson ai.
Samiti në Tiranë pritet të prodhojë një sërë diskutimesh mbi thellimin e integrimit ekonomik të rajonit, përshpejtimin e reformave demokratike dhe të drejtësisë, si dhe përparimin e axhendës së re të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

