Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar sot për një investim të ri në infrastrukturën shkollore, duke bërë të ditur se Shkolla Fillore “Liria” është pajisur me 200 banka moderne dhe 400 karrige ergonomike, të dizajnuara për t’u përshtatur sipas moshës dhe gjatësisë së nxënësve. Investim i njëjtë është bërë edhe në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina”.
Ky donacion do të mundësojë rregullimin e gjashtë kabineteve mësimore me inventar të ri në secilën nga dy shkollat, duke krijuar kushte më të mira dhe më funksionale për procesin edukativo-arsimor.
Mjetet janë dhuruar nga kompania “Eftinija Impex”, të cilën Mexhiti e falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm në fushën e arsimit. Iniciativa po realizohet në kuadër të muajit të festave të nëntorit, përfshirë Ditën e Alfabetit.
Kryetari Mexhiti theksoi se ky është vetëm hapi i parë i një projekti shumë më të gjerë:
“Ky është veç fillimi. Brenda një viti, synojmë që të gjitha shkollat fillore të Çairit t’i pajisim me banka dhe karrige të reja të këtij standardi, duke sjellë një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si fëmijët tanë mësojnë dhe rriten.”
Ai falënderoi gjithashtu drejtoreshën e Shkollës “Liria”, Teuta Idrizi, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e projektit.

