Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ashpërsuar kritikën ndaj sistemit të drejtësisë, duke riafirmuar se Qeveria nuk ndërhyn në punën e gjyqësorit, por mban përgjegjësi të plotë për mënyrën se si shpenzohet çdo denar i buxhetit publik.
Në një intervistë për emisionin “Top Tema” në TV Telma, ai u shpreh se kërkesat për rritje të buxhetit të institucioneve gjyqësore janë të pajustifikuara, sidomos në kushtet kur, sipas një raporti të fundit nga Këshilli i Evropës, Maqedonia e Veriut ndan për drejtësinë më shumë se 75 për qind e vendeve të BE-së si përqindje e BPB-së.
Ai theksoi se qeveria aktuale ka ndryshuar qasjen dhe tashmë hap hetime, dorëzon kallëzime penale dhe lejon institucionet të veprojnë pa spektakël mediatik, por me rezultate konkrete. “Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë u kap në flagrancë duke marrë ryshfet. I përfshirë ishte edhe një ish-funksionar i lartë i Prokurorisë, sot anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë – diçka që më herët ishte e paimagjinueshme”, theksoi Mickoski, duke numëruar rastet e fundit ku zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre edhe drejtues të institucioneve të afërt me VMRO-DPMNE-në, janë arrestuar ose ndodhen në paraburgim për korrupsion. Kryeministri kritikoi ashpër prokurorët dhe gjyqtarët për, siç u shpreh ai, mosshfrytëzimin e mundësisë për të rikthyer besimin qytetar në drejtësi. Ai theksoi se sondazhet e vazhdueshme e rendisin gjyqësorin dhe prokurorinë në nivelin më të ulët të besimit publik, ndërsa vuri në pikëpyetje kapacitetin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorëve Publikë për të udhëhequr luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Ne nuk kemi premtuar spektakël, por luftë reale kundër korrupsionit. Kemi dhënë mundësi dhe hapësirë, por ajo mundësi nuk u shfrytëzua”, deklaroi Mickoski, duke insistuar se përgjegjësia për krizën e besimit bie mbi vetë strukturat gjyqësore.

