18 Janar 2026 00:52

Kurti-Wadephulit: Milan Radoiçiq duhet të dorëzohët të autoritetet e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul. Temë e diskutimit ka qenë edhe raporti mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. 

Kurti ka cekur se kanë kaluar mbi dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe udhëheqësi i grupit terrorist Milan Radoiçiq ende nuk i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës. 

“Kryeministri nënvizoi faktin se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, udhëheqësi i këtij grupi terrorist dhe paramilitar, Millan Radoiçiq, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe Beogradi zyrtar refuzon t’ia dorëzojë atë dhe grupin e tij Republikës së Kosovës, përkundër fakteve për përfshirjen e tij në sulm dhe aktakuzës së prokurorisë së Kosovës ndaj tij, ndërkohë që ai dhe grupi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit”, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.