12 Gusht 2026 18:20

25 vjet nga Ohri: Shqiptarët më të fuqishëm se kurrë, por edhe më të përçarë se kurrë

25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, është koha të bëjmë një bilanc të rrugëtimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Një çerek shekulli më parë, vendi ndodhej përballë një krize të thellë politike dhe të sigurisë. Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit dhe vendosi një kornizë të re për marrëdhëniet ndëretnike, duke e orientuar shtetin drejt dialogut, barazisë dhe integrimit.

Nga Astrit Gashi

Sot, 25 vjet më vonë, realiteti është dukshëm ndryshe.

Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm politik, institucional dhe shoqëror në vend. Nga pushteti lokal te institucionet qendrore, nga arsimi te administrata, nga ekonomia te diplomacia dhe skena politike, prania dhe ndikimi shqiptar janë duket në secilën pjesë të pushtetit!

Por, në një paradoks të dhimbshëm, ndërsa shqiptarët politikisht nuk kanë qenë asnjëherë më të fuqishëm, marrëdhëniet ndërshqiptare nuk kanë qenë asnjëherë më të dobëta.

Kjo që po ndodhë sot është një nga kontradiktat më të mëdha të këtyre 25 viteve.

Në vend që fuqia e fituar politike të shndërrohej në një platformë të përbashkët për zhvillimin dhe avancimin e shqiptarëve, shpesh ajo është kthyer në përplasje mes partive, liderëve dhe interesave të ngushta. Përçarjet politike kanë depërtuar edhe në shoqëri, duke krijuar një klimë ku shqiptari shpesh e sheh shqiptarin tjetër si kundërshtar politik, e jo si bashkëpunëtor për një interes më të madh kombëtar dhe qytetar.

Kjo duhet të na shqetësojë më shumë se çdo deklaratë politike. Kjo e shqetson secilin shqiptarë!

Marrëveshja e Ohrit nuk u bë për të krijuar oligark dhe sundimtar. Ajo u bë për të krijuar një shoqëri më të barabartë dhe një shtet ku shqiptarët dhe komunitetet e tjera të ndihen të barabarta dhe të respektuarë

Prandaj, sot pas 25 vitesh, pyetja nuk është vetëm se sa kemi fituar. Pyetja është: çfarë kemi bërë me ato që kemi fituar?

Sot kemi më shumë përfaqësim, më shumë institucione, më shumë mundësi politike dhe më shumë ndikim. Por kemi edhe një përgjegjësi më të madhe. Të mos e shndërrojmë fuqinë politike në privilegj personal dhe përçarjen politike në konflikt shoqëror.

Shqiptarët kanë nevojë për konkurrencë politike, por jo për armiqësi ndërshqiptare. Mund të kemi parti të ndryshme, ide të ndryshme dhe vizione të ndryshme, por duhet të kemi disa interesa që na bashkojnë: barazinë, gjuhën, arsimin, zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe dinjitetin qytetar.

Pas 25 vitesh nga Ohri, sfida më e madhe nuk është më vetëm të kërkojmë të drejtat tona nga të tjerët. Është të tregojmë se dimë t’i mbrojmë, t’i zhvillojmë dhe t’i përdorim me përgjegjësi.

Sepse shqiptarët sot janë më të fuqishëm se kurrë.

Por pikërisht për këtë arsye, nuk kemi luksin të jemi më të përçarë se kurrë.

Ohri e ndryshoi pozitën e shqiptarëve në shtet. Tani është koha që shqiptarët ta ndryshojnë mënyrën se si sillen me njëri-tjetrin.