Këshilli i Prokurorëve Publikë ka përzgjedhur katër prokurorë të rinj në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), pas përfundimit të procedurave të mbledhjes së 40-të të këtij organi.
Në pozitat e reja u zgjodhën prokurorët Engjellushe Kadriu-Leshi, Aleksandar Markovski, Ana Gogovska-Jakimovska dhe Ana Stojkoviq-Dimitriovska. Kryetari i Këshillit, Bashkim Selimi, bëri të ditur se në konkursin për pesë vende të lira fillimisht u paraqitën tetë kandidatë, por gjatë procesit Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro i tërhoqën kandidaturat e tyre. Pas shqyrtimit të aplikimeve, kandidatet Maria Gogjieva, Valentina Bislimovska, Suzana Mirçeska-Kuzmanovska dhe Ivana Aleksovska-Trajçevska nuk morën votat e mjaftueshme nga anëtarët e Këshillit.
Gjatë diskutimit mbi propozim-vendimin e ri ligjor, anëtarja e Këshillit, Svetllana Stojkoviq, vuri në dukje ndryshimin e kohëzgjatjes së mandatit për prokurorët e kësaj prokurorie, i cili pritet të rritet nga katër në shtatë vite. Stojkoviq theksoi se pesë nga kandidatët aktualë kanë shërbyer tashmë për dy mandate në këtë institucion dhe argumentoi se kufizimi i mandateve parandalon akumulimin e tepërt të fuqisë. Ajo u shpreh në favor të prokurorëve nga Prokuroria e Shkupit të cilët nuk kanë përvojë paraprake në PTHP NKOK, duke vlerësuar se biografitë e tyre meritojnë dhënien e një mundësie të re.
Këtë qëndrim e mbështeti edhe anëtarja Keti Petkova, e cila krahas votës për kandidatët e rinj, mbështeti edhe zgjedhjen e Engjellushe Kadriu-Leshit, duke invokuar nevojën për respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë.
Prokurori shtetëror publik, Nenad Saveski, deklaraoi se pas studimit të materialeve të tetë kandidatëve, vendosi të mbështesë ata që nuk vinë nga radhët e PTHP NKOK. Saveski theksoi rëndësinë e ofrimit të mundësive për përparim në karrierë edhe për prokurorët jashtë rajonit të Shkupit. Ai shprehu shqetësimin e tij për interesimin e ulët në këtë konkurs, duke e konsideruar faktin që për pesë pozita u paraqitën vetëm tetë kandidatë si një tregues dekurajues.

