24 Mars 2026 01:17

Mbledhja e VLEN sonte: Kasami konfirmon tërheqjen e mbështetjes për Limanin dhe Fetain

Koalicioni VLEN do të mblidhet në takimin e tij të parë që prej vendimit të Alternativës për shkarkimin e organeve partiake. Kjo mbledhje është thelbësore për të konkretizuar mënyrën e funksionimit të tij si një parti politike e bashkuar dhe për të përpiluar organet e reja drejtuese. Detaje të mëtejshme nuk janë bërë të ditura, pasi pritet të publikohen për opinionin pas takimit të sontëm.

Në qendër të vëmendjes mbetet situata e dy anëtarëve të qeverisë, Fatmir Limani dhe Arben Fetai, të cilët duket se nuk gëzojnë më mbështetjen e plotë të koalicionit. Bilall Kasami nga VLEN deklaroi se “Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ishte shumë i prerë se çfarë nënkupton ristrukturimi i VLEN-it për dy anëtarët e qeverisë”.

Nga ana tjetër, Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar planet për një rikonstruim qeveritar. “Kemi paralajmëruar se në maj ose qershor do të kemi rikonstruim në qeveri dhe kuptohet që shumë çështje gjatë rikonstruimit dhe para rikonstruimit pres të vendosen në tavolinë dhe do të bisedojmë”, u shpreh Mickoski, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe vendimmarrje.

Ndërkohë, koalicioni VLEN ka miratuar një model funksionimi me dy bashkëkryetarë, respektivisht Bilall Kasamin dhe Afrim Mexhitin. Tashmë pritet të konfirmohen edhe emrat e nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm, si dhe anëtarëve të tjerë të organeve drejtuese, për të kompletuar strukturën e re organizative të partisë.