Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 brenda një lokali, ku pas një mosmarrëveshjeje pronari i lokalit dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj klientëve të tij.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka konfirmuar se një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër është plagosur dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje pronari i lokalit ka përdorur armën e zjarrit. Si pasojë, një person ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Graishta.
Sipas burimeve jozyrtare, viktima është identifikuar si Rasim Binakaj, 38 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur vëllai i tij.
Po ashtu raportohet se i dyshuari për këtë rast është Nexhdet Zymberaj, pronar i lokalit ku ndodhi incidenti. Ai është identifikuar nga autoritetet, por aktualisht ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, i cili ka bërë të ditur se është inicuar hetim për veprën penale “vrasje e rëndë”.
“Është inicuar rast për veprën penale ‘vrasje e rëndë’. I dyshuari është identifikuar dhe ndodhet në arrati. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Domi.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

