5 Mars 2026 15:36

Hisen Berisha tregon se çfarë skenari po përgatit Kurti për zgjatjen e krizës institucionale

Ish-deputeti i PDK-së, gjenerali në pension, Hisen Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend për zgjedhjen e presidentit.

Ai përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se Kosova po shtyhet qëllimisht drejt një labirinthi procedurash burokratike për zgjedhjen e presidentit, vetëm për të blerë kohë dhe për të shmangur përballjen me qytetarët.

Berisha ka thënë se në vend të një zgjidhjeje të qartë politike, po ndërtohet një skenar i zvarritjes procedurale që mund të zgjasë deri në muajt e verës, duke lënë që të kuptohet se sikurse që ka ndodhur më 28 dhjetor, Kurti po pret edhe kësaj here diasporën në korrik e gusht për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Në vend të një zgjidhjeje të qartë politike, po ndërtohet një skenar i zvarritjes procedurale që mund të zgjasë deri në 60 ditë nga momenti i fillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit. e më pastaj nëse deshton procesi shkohet në mbajtjen e zgjedhjeve. Praktikisht, vendi po shtyhet drejt zgjedhjeve në fillim të majit ose edhe më vonë. Mandati i presidentit aktual përfundon më 4 prill. Kjo do të thotë se me automatizëm, pas kësaj date, sipas Kushtetutës, detyrën e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit për një periudhë deri në gjashtë muaj. Në këtë periudhë ai ka edhe kompetencën për të caktuar datën e zgjedhjeve, të cilat mund të shtyhen deri në muajt e verës, në korrik apo në gusht, deri në tetor”, ka shkruar Berisha.