Gjatë Konferencës së Mynihut në Gjermani, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ritheksoi me vendosmëri qëndrimin e vendit të tij mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përballet me një udhëtim të pafundmë drejt anëtarësimit, por meriton një të ardhme evropiane të qartë, të parashikueshme dhe të bazuar në merita.
Në një shënim të shpërndarë edhe në rrjetet sociale, Mickoski e përshkroi mesazhin si “të thjeshtë”, duke argumentuar se qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit janë lodhur nga pritjet e gjata dhe meritokracia e tyre duhet të respektohet. Sipas tij, “ka ardhur koha që reformat e ndërmarra dhe përkushtimi i qytetarëve tanë të vlerësohen siç duhet nga partnerët evropianë”.
Megjithatë, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian mbetet i ndërlikuar dhe i bllokuar, kryesisht për shkak të kontestit të pazgjidhur me Bullgarinë fqinje. Për të avancuar në procesin e integrimit, vendi duhet të realizojë ndryshime kushtetuese që parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive të tjera në preambulën e Kushtetutës. Këto ndryshime kërkojnë një shumicë të cilësuar prej dy të tretave në Kuvend, dhe nisja zyrtare e negociatave me BE-në është kushtëzuar pikërisht nga miratimi i tyre.
Në korrik të vitit 2022, Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht bisedimet qasëse me BE-në, pas miratimit të propozimit francez që shihej si një kompromis për kapërcimin e vetos bullgare. Ky propozim u votua në Parlament pa mbështetjen e opozitës së atëhershme, e cila tashmë është në qeveri. Qëndrimi aktual i kabinetit qeveritar lidhur me ndryshimet kushtetuese mbetet i palëkundur: ato nuk do të ndërmerren pa marrjen e garancive të qarta dhe konkrete se procesi i integrimit evropian nuk do të pengohet sërish nga bllokada të reja apo kushte dypalëshe.

