11 Shkurt 2026 16:01

Prosper kritikon ashpër Prokurorinë: Po përbuz ekspertizën e dëshmitarëve ndërkombëtarë

Pierre Richard Prosper, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, e ka nisur fjalën e tij përmbyllëse me kritika të forta ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me mënyrën se si ajo ka trajtuar dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes.

Prosper ndau fillimisht një përvojë personale me një koleg diplomat, i cili – sipas tij – pasi kishte dëgjuar deklaratat përmbyllëse të Prokurorisë, kishte komentuar: “E tmerrshme, kaq pak respektojnë profesionin tonë?”

“Duhet ta shikojmë ndryshe këtë çështje, sepse këto komente tregojnë arrogancë dhe mungesë respekti, që në fakt ka qenë e pranishme që në fillim të këtij gjykimi. Të rrëzosh përvojat e tyre është e pabesueshme. Është e gabuar dhe, për mua, është një gjest dëshpërimi,” deklaroi Prosper para trupit gjykues.

Ai shtoi se qasja e Prokurorisë është problematike, sidomos kur – sipas tij – hidhen poshtë dëshmi të profesionistëve që kanë shërbyer në institucione ndërkombëtare dhe që kanë qenë të pranishëm në terren.

“Nuk është për t’u habitur që qeveritë dyshojnë në besueshmërinë e tribunaleve ndërkombëtare, kur vetë profesionistët e tyre dalin para trupit gjykues, tregojnë çfarë ka ndodhur, dhe deklaratat e tyre hidhen poshtë nga persona që as nuk kanë qenë të pranishëm në vendin përkatës. Kjo është një çështje shumë problematike,” u shpreh ai.

Prosper theksoi se duhet respektuar roli dhe funksioni i dëshmitarëve ndërkombëtarë, të cilët – sipas tij – kanë përfaqësuar institucione si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, NATO-n dhe Kombet e Bashkuara.

“Këta persona nuk erdhën këtu si individë privatë për të thënë ‘kështu mendoj unë’. Ata folën bazuar në përvojat e tyre dhe në emër të institucioneve që përfaqësonin. Informacioni që ata kanë i përket institucioneve përkatëse,” tha ai.

Sipas Prosper, dëshmitarët kishin qasje në informacione të shumta, përfshirë struktura ushtarake e civile, raporte nga organizata joqeveritare, debate të brendshme institucionale, si dhe konstatime personale nga terreni.

“Kur dhanë këndvështrimet e tyre, ishin të matura. Kishin informacion të bazuar dhe të verifikuar,” shtoi ai.

Në përfundim, avokati i Thaçit akuzoi ZPS-në për qasje injoruese dhe për, siç tha, përbuzje ndaj ekspertizës së dëshmitarëve ndërkombëtarë.