Një incident i dhunshëm tronditi Wiedikon të hënën në mbrëmje, rreth orës 20:15, kur një burrë 40-vjeçar me shtetësi kosovare sulmoi fizikisht një hebre ortodoks 26-vjeçar. Agresori iu afrua viktimës në Manessestrasse dhe nisi ta godiste me grushte pa paralajmërim. Ndërhyrja e shpejtë e kalimtarëve të rastit ishte vendimtare për ta ndalur sulmin dhe për ta mbajtur nën kontroll agresorin, siç raportojnë mediat lokale.
Ndërsa viktima, i cili sapo kishte dalë nga një banesë në zonë, po ecte në trotuar kur u sulmua papritur. Ndërkohë që agresori po mbante viktimën nën kërcënim, kalimtarët guximtarë ndërhynë menjëherë, neutralizuan sulmuesin dhe e mbajtën atë derisa mbërritën forcat e policisë. Edhe pas ardhjes së uniformave blu, personi i arrestuar vazhdoi të shfaqte sjellje fyese dhe të bënte komente antisemite, sipas burimeve të cituara nga sda.ch.
Policia e qytetit të Cyrihut konfirmoi arrestimin e sulmuesit, siç u bë e ditur në një njoftim zyrtar të martën. Agresori është i njohur për organet e rendit, megjithëse jo për vepra penale të natyrës së ngjashme. Pas hetimeve paraprake, policia bëri me dije se 40-vjeçari nuk ka një adresë të rregullt banimi në Zvicër dhe i është dorëzuar menjëherë prokurorisë për vazhdimin e procedurave ligjore, përcjell albinfo.ch.Sipas Federatës së Komuniteteve Hebraike në Zvicër, viktima pësoi lëndime të lehta në trup dhe qafë, duke qenë gjithashtu në gjendje shoku pas incidentit.
Federata thekson se ky sulm nuk ishte rastësor, por një akt i drejtuar specifikisht kundër një personi me besim hebre. Ky episod vjen në një kohë kur Zvicra ka parë një rritje të ndjeshme të sulmeve antisemite që nga tetori i vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Një rast tjetër i shënuar ishte sulmi me thikë ndaj një burri hebre në Cyrih nga një i ri me origjinë tuniziane, në mars të vitit 2024.

