30 Janar 2026 14:04

Alcaraz sfidon ngërçin dhe shkëlqimin e Zverevit për të arritur finalen e Australian Open

Carlos Alcaraz tregoi zemër kampioni duke triumfuar ndaj Alexander Zverev me rezultatin 6-4, 7-6(5), 6-7(3), 6-7(4), 7-5 në një gjysmëfinale dramatike të Australian Open, duke siguruar për herë të parë një vend në finalen e turneut.

22-vjeçari spanjoll u përball me probleme serioze fizike nga mesi i setit të tretë, kur filloi të vuante nga një shqetësim në kofshën e djathtë dhe mezi lëvizte në fushë. Megjithatë, falë goditjeve brilante, vendosjes së saktë të topit dhe forcës mendore, Alcaraz arriti të qëndrojë në lojë dhe ta çojë ndeshjen deri në setin vendimtar.

Zverev fitoi setin e tretë dhe të katërt në tiebreak, duke përfituar nga vështirësitë fizike të kundërshtarit, ndërsa reagoi me zemërim kur Alcaraz mori ndihmë mjekësore, duke vënë në dyshim rregullat për trajtimin e ngërçeve.

Në setin e pestë, gjermani mori një avantazh të hershëm, por Alcaraz u ringrit gradualisht, rifitoi lëvizshmërinë dhe electrizoi publikun në Rod Laver Arena me disa pika spektakolare. Thyerja vendimtare erdhi në lojën e dhjetë, përpara se spanjolli ta mbyllte ndeshjen dhe të rrëzohej në fushë nga lodhja dhe emocionet.

Alcaraz tani pret fituesin e përballjes mes Novak Djokovic dhe Jannik Sinner në finalen e së dielës, ku një fitore do ta bënte atë të kompletojë të gjitha Grand Slam-et.