20 Janar 2026 20:25

Kurti në Davos: Në Kosovë s’ka më struktura paralele të Serbisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga Davosi i Zvicrës se Serbia nuk ka më institucione paralele në territorin e Kosovës, duke theksuar se Policia e Kosovës ka vepruar me sukses kundër këtyre strukturave.

Duke iu drejtuar audiencës ndërkombëtare, Kurti sqaroi se Kosova ka gjithsej 38 komuna, prej të cilave 10 janë me shumicë serbe, ndërsa Serbia, sipas tij, ka mbajtur për vite me radhë zyra dhe institucione paralele brenda territorit të Kosovës. Ai tha se paraardhësit e tij nuk ishin marrë mjaftueshëm me këtë çështje, por se pas marrjes së detyrës, Qeveria e tij ndërmori veprime konkrete për mbylljen e të gjitha zyrave dhe institucioneve paralele, si dhe për ndalimin e dinarit si mjet pagese. Krahas kësaj, ai theksoi se janë mbyllur edhe 27 rrugë ilegale që shërbenin për krim të organizuar dhe kontrabandë.

Sipas Kurtit, përmes forcimit të sundimit të ligjit është shtrirë edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Ai foli gjithashtu për qëndrimet e shteteve aleate lidhur me veprimet që janë cilësuar si të njëanshme në veri të Kosovës, duke vlerësuar se Serbia nuk ishte e përgatitur për këto zhvillime dhe se ka gabuar kur i ka nxitur serbët të largohen nga institucionet e Kosovës. Ai shtoi se faktori ndërkombëtar tashmë e pranon se sundimi i ligjit ka qenë qasja e duhur, ndonëse, sipas tij, disa shtete e pranojnë këtë më shumë e disa më pak.

Megjithatë, Kurti paralajmëroi se ekziston ende rreziku i një invazioni nga Serbia, duke përmendur se ajo ka 48 baza ushtarake përreth Kosovës. Ai shprehu bindjen se probabiliteti për një veprim të tillë është i ulët, përveç rasteve kur, sipas tij, Kremlini do ta urdhëronte një destabilizim të rajonit. Kurti tha se nuk beson se Beogradi zyrtar do të ishte në gjendje t’i kundërvihej një urdhri të tillë nga presidenti rus Vladimir Putin. Në këtë kontekst, ai theksoi se Kosova tashmë ka një ushtri të fortë dhe se çdo veprim kundër saj do të duhej të mendohej dy herë.

Kryeministri në detyrë ka udhëtuar një ditë më parë në Davos për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF). Gjatë qëndrimit të tij, ai mori pjesë në një panel diskutimi me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, të mbajtur në “Shtëpinë e ShBA-së”. Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti theksoi se besimi është shtyllë themelore e shërbimit dhe unitetit në faza të ndryshme shoqërore dhe shtetërore, ndërsa optimizmi për të ardhmen, sipas tij, buron nga përpjekjet dhe angazhimi i vazhdueshëm.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, ky panel është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektimin mbi mënyrën se si liderët globalë mund të ndërtojnë partneritete inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe të përshpejtojnë bashkëpunimin në zhvillimet aktuale shoqërore. Në kuadër të WEF-it, Kosova do ta ketë për të dytin vit radhazi “Shtëpinë e saj”.