20 Janar 2026 20:21

Si i fshehu gjyqtari maqedonas 350.000 euro në mur?

Më 20 janar 2026, Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJOGOKK) paraqiti kallëzim penal ndaj G.R. (53), nga Negotina me vendbanim në Shkup, për dyshim të bazuar për kryerjen e veprave penale “fitim dhe fshehje e kundërligjshme e pasurisë” sipas nenit 359-a paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, si dhe “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepër penale” sipas nenit 273 paragrafi 1 të Kodit Penal.

I dyshuari, në cilësinë e personit zyrtar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkup, gjatë periudhës nga 10.02.2020 e deri më sot, në kundërshtim me detyrimet ligjore për deklarimin e gjendjes pasurore dhe ndryshimeve të saj, ka paraqitur të dhëna të rreme për pasurinë e tij dhe të familjes, e cila në përmasa të konsiderueshme i tejkalon të ardhurat e tij të ligjshme.

Në kuadër të procedurës, më 18.01.2026, mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe në koordinim me prokurorin publik kompetent, u krye kontroll në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë. Në katin e parë, konkretisht në kuzhinë, u konstatuan rrethana të dyshimta që tregonin ndërhyrje ndërtimore në mure. Pas heqjes së një pllake qeramike, u zbulua një hapësirë e fshehtë ku ndodheshin rula alumini cilindrike, të paketuara në 13 pako të veçanta, brenda të cilave u gjetën gjithsej 610 kartëmonedha nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha nga 200 euro, në vlerë totale prej 350.000 euro.