Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, po merr pjesë në konferencën rajonale triditore “Nga korniza në veprim: Ndërtimi i shërbimeve sociale më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe të integruara” që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë.
Ky tubim i rëndësishëm, siç informon Ministria e Politikës Sociale, mblodhi së bashku vendimmarrës qeveritarë në nivel evropian, përfaqësues të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, akademikë dhe ekspertë të politikave sociale. Qëllimi kryesor i konferencës ishte shkëmbimi i përvojave dhe avancimi i shërbimeve sociale.Gjatë fjalimit të tij në sesionin ministror, Ministri Limani theksoi rëndësinë e reformës së sistemit të mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut, e cila nisi në vitin 2019.
Kjo reformë, sipas Limanit, reflekton drejtpërdrejt prioritetet strategjike të Qeverisë: drejtësinë sociale, përfshirjen ekonomike, kujdesin për të rinjtë dhe familjet, si dhe ndërtimin e një shteti funksional, modern dhe dixhital. Ai theksoi se edhe në kushtet e krizave të shumëfishta, qofshin ato ekonomike, shëndetësore apo energjetike, qeveria zgjodhi të investojë te njerëzit, duke e bërë këtë reformë tejet domethënëse.Kjo reformë ka transformuar thelbin e sistemit të mbrojtjes sociale, duke kaluar nga një ndihmë fragmentare në shërbime të integruara, nga një qasje administrative drejt një qasjeje të kujdesit dhe nga institucionet e centralizuara drejt shërbimeve më afër qytetarëve.

Zbatimi i suksesshëm i saj ka qenë rezultat i bashkëpunimit afatgjatë dhe të vazhdueshëm me Bankën Botërore, mbështetja profesionale dhe financiare e së cilës ishte vendimtare. Ministri Limani theksoi disa ndryshime kyçe që kontribuuan në përparimin e mbrojtjes sociale, përfshirë krijimin e një kornize të fortë ligjore dhe institucionale, në përputhje me standardet evropiane. U miratuan ligje të reja si ai i Mbrojtjes Sociale dhe Ligji i Sigurimeve Sociale të Moshës, si dhe u bënë ndryshime në Ligjin e Mbrojtjes së Fëmijëve, duke vendosur themelet e një sistemi të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm.

Lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social u adresua përmes një reforme thelbësore të kompensimeve monetare, duke thjeshtuar sistemin, duke vendosur targetim real sipas nevojave të familjeve dhe duke rritur shumat për kategoritë më të cenueshme me mbi 300%.Gjithashtu, Limani foli për reformën thelbësore të qendrave për punë sociale, e cila synon transformimin e mbrojtjes sociale nga një sistem pasiv në një sistem aktiv, si dhe për investimet në infrastrukturë, burimet njerëzore dhe profesionalizimin e shërbimeve. Ai theksoi decentralizimin dhe zhvillimin e shërbimeve sociale si një reflektim i qartë i politikës qeveritare për zhvillim rajonal të balancuar.
Aktualisht, funksionon një rrjet prej mbi 150 ofruesish të licencuar të shërbimeve sociale. Shërbimet për ndihmë dhe kujdes në shtëpi, si dhe asistenca personale, janë tashmë realitet në dhjetëra komuna, duke ofruar mbështetje, dinjitet dhe një integrim më të madh për qytetarët në nevojë. Si rezultat, përveç përmirësimit të kujdesit, janë krijuar mbi 1,500 vende të reja pune për individë që më parë ishin përfitues të ndihmës sociale ose të papunë afatgjatë. Krijimi i një sistemi dixhital të integruar, që lidh institucionet dhe mundëson shkëmbimin në kohë reale të 90% të të dhënave, redukton barrën administrative, ul rrezikun e korrupsionit dhe rrit besimin tek institucionet.

Ministri Limani përfundoi duke theksuar se kjo reformë dëshmon se politika sociale mund të shërbejë si një shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik, e stabilitetit demografik, si dhe e integrimit evropian.Në kuadër të vizitës së tij në Rumani, Ministri Limani zhvilloi edhe një takim bilateral me homologun e tij rumun, Ministrin e Punës, Familjes, Rinisë dhe Solidaritetit Social, Petre-Florin Manole. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin aktual dypalësh dhe mundësitë për thellimin e tij, si dhe për shkëmbimin e përvojave në fushat që janë në kompetencë të ministrive, nga të cilat do të përfitonin qytetarët e të dy shteteve.

