20 Janar 2026 20:58

Bastisje në Batincë: Policia dështon të kapë Musa Xhavitin, i dyshuar për dy vrasje

Një operacion i fundit i Ministrisë së Punëve të Brendshme për kapjen e Musa Xhavitit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e oficerit të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agim Muharremi, në Batincë të Shkupit disa muaj më parë, ka rezultuar i pasuksesshëm. Më datë 8 janar, forca të shumta policore kryen bastisje në disa objekte në fshatin Batincë, me objektiv arrestimin e Xhavitit, pas informacioneve paraprake të siguruara mbi vendndodhjen e tij të mundshme.

Zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski, konfirmoi se: “Pas informatave të marra paraprakisht, zyrtarë policorë pranë MPB-së gjatë ditës së djeshme kanë vepruar në rajonin e Shkupit me qëllim privimin nga liria të personit, për të cilin është shpallur fletëarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për vepra të rënda penale. Vazhdojnë aktivitetet në terren me qëllim gjetjen dhe arrestimin e këtij individi me rëndësi të lartë.” Megjithatë, siç u konfirmua edhe nga vetë Ministria e Punëve të Brendshme, Musa Xhaviti nuk u gjet dhe mbetet ende në arrati, duke sfiduar përpjekjet e autoriteteve.

Vrasja e Agim Muharremit, 49 vjeç, ndodhi më 11 korrik të vitit të kaluar, kur ai u qëllua me dy plumba në gjoks. Motivi i këtij akti të rëndë ishte refuzimi i Muharremit për t’u bërë krushk me agresorin. Dita fatale e gjeti viktimën dhe vajzën e tij duke u kthyer në shtëpi pas një kontrolli mjekësor. Sipas të dhënave, Xhaviti fillimisht e kishte kërcënuar Muharremin në telefon, e më pas, duke i ndërprerë rrugën me makinë, kishte dalë dhe kishte kryer vrasjen makabre.

Musa Xhaviti nuk është një emër i panjohur për organet e rendit, duke qenë një prej personave më të kërkuar për rreth një vit e gjysmë. Ai ishte autor edhe i një vrasjeje tjetër, të ndodhur në korrik të vitit 2024, po ashtu në Batincë, ku me një kallashnikov vrau 34-vjeçarin Abdyl Ibraimin. Kjo vrasje dyshohet të jetë kryer për arsye hakmarrjeje. Më herët, Xhaviti kishte vuajtur dënimin me burg për armëmbajtje pa leje. Pas lirimit nga burgu, informatat e policisë sugjerojnë se ai u përfshi në rrjetin e grupeve kriminale, të cilat në vitet e fundit kanë qenë shkaktarë të hakmarrjeve dhe vrasjeve me bujë në Shkup dhe më gjerë.