Rreziku më i madh që mund ta godasë një shoqëri është momenti kur ajo preket nga amoraliteti. Ky fenomen është shpjeguar mjeshtërisht nga gjeniu i letrave shqipe, Teki Dervishi, i cili dikur ka shkruar (po e parafrazoj): “Shqiptarët, pa u ngopur me P+P, nuk bëhen shtet kurrë dhe këto janë dy gjëra me të cilat ata nuk ngopen.”
Nga Astrit Gashi
Kur lexojmë historinë, pothuajse gjithmonë mësojmë se shqiptarët kanë thyer kokë e këmbë pikërisht sepse kanë arritur ta shndërrojnë këtë fenomen në “vlerë”. Por kurrë dhe asnjëherë gënjeshtra, hajnia dhe kurvëria nuk kanë qenë vlera. Sot, bota virtuale na i ka ekspozuar këto dukuri deri në atë pikë sa është bërë e vështirë të dallohet vlera nga antivlera. Nuk vlerësohet më një grua e bukur, por promovohet një kukull seksi.
Sa jetë kanë marrë të ashtuquajturat “dhoma pushimi”? Pse shteti nuk i mbikëqyr ato? Sepse, në shumë raste, vetë pushteti është përdorues i tyre.
Sot, shumë njerëz të mirë kanë rënë viktimë e individëve me probleme serioze morale dhe seksuale. Në këtë kategori hyjnë shpesh edhe disa pseudo-artistë dhe pseudo-shkrimtarë, të cilët i përdorin rrjetet sociale për të shfaqur amoralitetin e tyre. Atyre u mungon edukata familjare, e cila në shumë raste bartet si trashëgimi e ndotur nga veprimet e prindërve.
Ky fenomen është më i përhapur në diasporë, ku viktima, në shumicën e rasteve, janë familje të ndershme që bien në syrin e keq të njerëzve me çrregullime seksuale dhe morale.
Amoraliteti nuk ka gjini. Ai prek çdo person që ka probleme të tilla. Në shumë raste, më të rrezikuarit janë njerëz me pozita, të cilët e keqpërdorin pushtetin si “terapi” për sëmundjet e tyre. Viktimat janë shpesh pikërisht ata që janë më afër tyre. Këta persona janë jashtëzakonisht të rrezikshëm, sepse nuk zgjedhin – ata shpërthejnë si llavë vullkanike dhe përpijnë gjithçka që u del përpara.
Kjo temë është shumë më e gjerë dhe nuk duhet reduktuar vetëm në marrëdhëniet intime. Asnjë fushëbetejë nuk zhvillohet pa kundërshtar.
Prandaj, kujdes nga kjo pandemi virtuale, nga e cila nuk mund të vaksinohemi. Simptomat e saj shpesh maskohen pas emrave “artist”, “shkrimtar”, “biznesmen” “politikan” . Kujdesuni për veten dhe për vlerat që mbani gjallë.

