17 Janar 2026 13:09

Drenica forcon krahun e djathtë, zyrtarizon Leonard Malokun

KF Drenica ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të talentuar Leonard Maloku nga skuadra e 2 Korrikut. Futbollisti 18-vjeçar konsiderohet një nga premtimet më të mëdha të futbollit kosovar në repartin defensiv dhe shihet si një investim me perspektivë për të ardhmen.

Maloku aktivizohet në pozitën e mbrojtësit të djathtë dhe pritet t’i sjellë Drenicës më shumë energji, shpejtësi dhe dinamizëm në lojë, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve ofensive nga krahu.

I riu ka rënë në sy me paraqitjet e tij bindëse me 2 Korrikun, veçanërisht në arenën ndërkombëtare, ku në ndeshjet e UEFA Youth League ka treguar potencial të madh, disiplinë taktike dhe pjekuri për moshën që ka. Drejtuesit e Drenicës besojnë se Maloku do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën dhe do të ketë rol të rëndësishëm në objektivat e klubit.