21 Janar 2026 22:13

AEK zgjedh “One Macedonia Telecommunications” si operatorin e tretë celular në vend

Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK) ka vendosur sot që kompania “One Macedonia Telecommunications”, pjesë e grupit hungarez 4iG, është ofertuesi më i volitshëm në tenderin për operatorin e tretë celular në Maqedoni.

Sipas vendimit, kompania ka afat prej 10 ditësh për të paguar tarifën e njëhershme në vlerë prej 8.020.003 euro, e cila përfshin shfrytëzimin e brezave të radiofrekuencave 700 MHz, 1800 MHz dhe 3.x GHz. Pas kryerjes së pagesës, operatori i ri do të mund të nisë aktivitetin, duke përdorur përkohësisht rrjetet ekzistuese të operatorëve aktualë, paralelisht me ndërtimin e infrastrukturës së vet.

Kushtet e tenderit parashikojnë që deri në fund të vitit 2026, operatori i tretë duhet të fillojë ofrimin e shërbimeve në të paktën një qytet. Deri në fund të vitit 2028, duhet të sigurohet mbulim 5G në korridoret kryesore rrugore, ndërsa deri në vitin 2030, rrjeti 5G duhet të shtrihet në të gjitha qytetet e vendit. Sipas planit, deri në vitin 2032, çdo qytetar duhet të ketë qasje në internet 5G me shpejtësi minimale prej 100 Mbps.

AEK njofton se periudha e vlefshmërisë së frekuencave radiofonike A1 dhe C1 është 12 vjet, ndërsa për frekuencën B1 është 8 vjet. Sipas Agjencisë, hyrja e operatorit të tretë celular pritet të rrisë konkurrencën në tregun e telekomunikacionit, një çështje kjo e theksuar vazhdimisht në raportet e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

Aktualisht, tregu celular në vend dominohet nga Makedonski Telekom dhe A1 Makedonija, së bashku me disa operatorë virtualë. Të dhënat nga tremujori i tretë i vitit 2025 tregojnë se dy operatorët kryesorë mbajnë rreth 94 për qind të tregut të abonentëve celularë.