18 Janar 2026 01:12

Mickoski: Bullgaria po konfirmon se ndryshimet kushtetuese nuk janë problemi i vetëm

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Bullgaria po e vërteton gjithnjë e më shumë se ndryshimet kushtetuese nuk janë problemi real në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ai fajësoi sërish qeverinë e kaluar për, siç tha, hyrjen në “një aventurë” me shtetin fqinj dhe pranimin e një marrëveshjeje që pengon integrimin e vendit.

“Kjo nuk më habit. Ata vetëm po konfirmojnë atë që kemi thënë që nga momenti i parë – se kërkesa nuk ka të bëjë vetëm me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, por me një ridefinim të plotë të identitetit maqedonas. Këto janë ditë që duhet të na bashkojnë dhe të kuptojmë se, pavarësisht nëse jemi në pushtet apo opozitë, duhet të jemi bashkë”, tha Mickoski.

LSDM-ja deri më tani nuk ka reaguar ndaj akuzave të kryeministrit.

Deklarata e Mickoskit vjen disa ditë pasi autoritetet bullgare, përmes një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, reaguan ndaj tij lidhur me Planin e Veprimit për Minoritetet, të dërguar nga Maqedonia në Sofje. Mickoski kishte thënë se Bullgaria ishte e shqetësuar që dokumenti ishte shkruar në gjuhën maqedonase.

Në reagimin e saj, pala bullgare nuk e përmend termin “gjuha maqedonase”, por i referohet asaj si një gjuhë e qasshme për qytetarët e Maqedonisë. Ministria bullgare theksoi se dokumenti nuk është çështje e marrëdhënieve dypalëshe, por një çështje e brendshme e Maqedonisë, dhe se është logjike që ai të jetë i përgatitur në një gjuhë të kuptueshme për qytetarët e saj.