18 Janar 2026 01:26

Thomas Weitz: “Narrativat nacionaliste po e mbajnë peng Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë – BE-ja pret përgjegjësi politike”

Eurodeputeti Thomas Weitz, raportues i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për “Sloboden Pechat” gjatë Forumit të Zgjerimit në Bruksel, theksoi se tensionet aktuale mes Shkupit dhe Sofjes ushqehen nga narrativa të brendshme politike që dëmtojnë marrëdhëniet fqinjësore dhe e ngadalësojnë rrugën evropiane të vendit.

Sipas tij, në Bullgari është zhvilluar një narrativë e fortë kombëtare, por një qasje e ngjashme po vërehet edhe në anën maqedonase. Weitz theksoi se të dy qeveritë duhet të investojnë në besim dhe bashkëpunim, në vend të retorikave që thellojnë hendekun mes shoqërive.

Lidhur me mungesën e përfaqësimit nga Shkupi në Forumin e Zgjerimit, Weitz tha se nuk beson se bëhet fjalë për ndonjë mesazh negativ nga BE-ja, por për një çështje teknike. Ai shtoi se Brukseli vazhdon të mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe se atmosfera ndaj vendit mbetet pozitive.

Duke komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian, ai theksoi se ngërçi kryesor mbetet bllokada bullgare dhe mungesa e ndryshimeve kushtetuese në Shkup, një hap që ai e konsideron të domosdoshëm për hapjen e negociatave. Sipas tij, pavarësisht frustrimit të qytetarëve, marrëveshja e arritur me Bullgarinë dhe Francën duhet respektuar, ndërsa reformat do të vazhdojnë edhe pas këtij hapi.

Weitz u shpreh se Maqedonia e Veriut nuk është “jashtë loje”, por ka mbetur vetëm një hap për të zhbllokuar procesin. Ai vlerësoi gjithashtu se qeveria bullgare aktuale duket më e gatshme të ecë përpara, ndërsa vendimi final i takon institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Eurodeputeti pranoi se ka pasur reagime të ashpra nga disa përfaqësues bullgarë, përfshirë edhe kërcënime, por theksoi se problemi buron nga forcat populiste dhe ekstremiste që, sipas tij, kanë ushqyer këtë çështje në kontekstin e zgjedhjeve të shpeshta në Bullgari. Ai paralajmëroi për ndikim të dukshëm rus në këtë retorikë dhe theksoi se disa eurodeputetë bullgarë po punojnë për të ngadalësuar integrimin evropian.

Megjithatë, Weitz mbetet optimist se me vendime të përgjegjshme politike nga të dyja palët, procesi mund të ecë përpara dhe vendi mund të hyjë në negociata serioze transmenton Identiteti.