23 Shkurt 2026 18:52

Pas arrestimit të Aran Grubit: shpërthejnë akuzat për ‘kutinë e zezë’ dhe marrëveshjet politike

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua mëngjesin e sotëm në pikën kufitare të Bllacës, pas vetëdorëzimit pranë autoriteteve policore. Kthimi i tij në vend ka shkaktuar reagime të shumta në spektrin politik dhe opinionin publik. Ndërsa ish-partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e konsideron këtë akt si pozitiv, koalicioni VLEN ngre pyetjen nëse Grubi do t’i japë goditjen fatale Ali Ahmetit dhe BDI-së. Edhe partitë maqedonase kanë reaguar, me LSDM-në që e cilëson kthimin e tij si një teatër të inskenuar dhe një marrëveshje politike.

Nga BDI vlerësojnë kthimin e Grubit, duke theksuar se kjo mundëson një procedurë transparente, të drejtë dhe të paanshme, ku do të prezantohen të gjitha argumentet dhe do të sqarohen çështjet. Ata shprehin pritshmërinë që procesi të zhvillohet sipas standardeve më të larta të sundimit të ligjit, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat individuale. BDI rikonfirmon qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet apo ndikime politike, dhe se do të ndjekë me kujdes të gjitha fazat e këtij procesi me interes të lartë publik.

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN e përshkruan Grubin si “kutinë e zezë” të qeverisjes së BDI-së, duke e cilësuar atë si pjesëmarrës dhe ekzekutor të të gjitha marrëveshjeve të dyshimta. Ata sugjerojnë se BDI dridhet nga frika, e pasigurt për atë që Grubi mund të zbulojë, veçanërisht pas humbjes katastrofale të partisë në zgjedhjet lokale. VLEN thekson se Grubi tani është i detyruar të përballet me veprimet e tij, duke ngritur pikëpyetjen se cilët të tjerë do të tërheqë me vete në këtë proces.

Përveç kësaj, Partia Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e interpreton kthimin dhe arrestimin e Grubit si një shfaqje teatrore dhe një marrëveshje politike, duke pretenduar se arratisja e tij ishte një skenar i parathënë në dhjetor 2024. LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në, me mbështetjen e BDI-së, se po tentojnë të mbulojnë skandalin e madh të drogës prej 5 tonësh dhe tenderët e shumtë kriminalë që kapin shifra milionëshe, siç janë 161 tendera për kompaninë familjare të Tomovskit apo 9 milionë euro për një kompani me vetëm dy punonjës. Në përgjigje, VMRO-DPMNE ka deklaruar se LSDM është nervoze, ngaqë Grubi mund të zbulojë informacione mbi aferat dhe krimet e lidhura me Zoran Zaevin, Oliver Spasovskin dhe Venko Filipçen, duke akuzuar LSDM-në për përpjekje për të fshehur gjurmët.

Pas vetëdorëzimit, Grubi u dërgua në Burgun e Shutkës, ku iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokuroria Themelore Publike Shkup ka njoftuar se do të informojë më tej për ecurinë e procedurës dhe paraqitjen e tij para prokurorit publik. Kujtojmë se në fund të vitit 2024, Artan Grubi u përfshi në Listën e Zezë Amerikane për veprime korruptive dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës u tërhoq nga jeta publike dhe u arratis nga vendi. Ai kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, në lidhje me rastin “Lotaria”, ku të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 8.2 milionë euro, duke u akuzuar për veprën penale “mashtrim në shërbim”, e cila parashikon një dënim prej të paktën katër vitesh burg.