21 Janar 2026 13:00

Miratohet buxheti i Komunës së Tetovës,do të ketë mbi 44 milionë euro

Këshilli Komunal i Tetovës ka miratuar me shumicë votash buxhetin për vitin 2026, i cili arrin vlerën mbi 44 milionë euro. Pas miratimit, kryetari i Komunës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti pasqyron përgjegjësi institucionale, vizion të qartë dhe përkushtim ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.

Sipas tij, buxheti për vitin 2026 krijon mundësi për investime konkrete, realizimin e projekteve të reja dhe përmirësim të drejtpërdrejtë të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tetovës.

“Me shumicë votash u miratua buxheti për vitin 2026, një dokument financiar që reflekton përgjegjësi, vizion dhe angazhim për zhvillim të qëndrueshëm. Ky vendim hap rrugën për investime konkrete, projekte të reja dhe përmirësim të jetës së qytetarëve,” ka deklaruar Kasami.

Ai shprehu mirënjohje ndaj këshilltarëve komunalë për kontributin e tyre gjatë procesit, duke vlerësuar sugjerimet, idetë dhe debatin konstruktiv, si dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për arritjen e objektivave zhvillimore.

“Falënderoj këshilltarët për sugjerimet, idetë dhe debatin konstruktiv. Tetova vazhdon përpara,” përfundoi Kasami.