Ali Ahmeti mbërriti i fundit në Kongresin e V-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, por ishte i vetmi që mori fjalën. Në një atmosferë të ftohtë dhe me mungesë të dukshme të figurave kyçe, kreu i integristëve nuk u përshëndet me një pjesë të madhe të bashkëpunëtorëve të tij shumëvjeçarë.
Teuta Arifi mungoi plotësisht, ndërsa emra të njohur si Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Rafiz Aliti, Bekim Neziri e të tjerë, nuk u ngritën as në këmbë.
Megjithëse BDI paralajmëroi reforma dhe ndryshime rrënjësore, zgjedhja e kryesisë qendrore u shty për një mbledhje tjetër në selinë e partisë. Jozyrtarisht, mësohet se përgjegjësia për rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale do t’i faturohet gardës së vjetër që ka dominuar partinë për më shumë se dy dekada. Si pasojë, pritet largimi nga funksionet partiake i Musa Xhaferit, Sadulla Durakut, Blerim Bexhetit, Teuta Arifit, Fatmir Deharit, Bekim Nezirit, Xhevat Ademit dhe të tjerëve.
Në kontrast të plotë me largimet, Ali Ahmeti u rizgjodh për herë të pestë radhazi kryetar i BDI-së, pa asnjë kandidat kundër. Ai prezantoi katër rezoluta për të ardhmen e partisë dhe të shtetit, përfshirë qeverisjen me shumicë të dyfishtë, zbatimin e parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese dhe një fazë të re të decentralizimit financiar.
Ndërkohë, Arbër Ademi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë, ndërsa Faton Ahmeti nënkryetar. Nënkryetarë të tjerë janë emëruar Bujar Osmani, Erkan Arifi, Arbana Pasholli dhe Arta Bilalli-Zendeli.
Kongresi i pestë i BDI-së kështu konfirmoi një realitet të ri: garda e vjetër largohet, ndërsa Ali Ahmeti mbetet i vetmi si “Feniksi” që nuk e djeg as zjarri. Ne ditet në vijim pritet termet ne kete parti e cila dhe ashtu është ne ditet me te veshtira të ekzistnecës së saj

