18 Janar 2026 01:25

 Bejta: Kërkoj mbështetjen edhe të votuesve dhe anëtarësisë së BDI-së për të mirën e qytetit të Gostivarit

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, gjatë emisionit “Debat në SHENJA” sonte, mohoi çdo pretendim për hakmarrje ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se rikthimi i tij në politikë synon të shërbejë për interesin e qytetarëve të Gostivarit.

“Pse të flitet për hakmarrje ndaj z. Ali Ahmeti? Unë asnjëherë nuk kam bërë hakmarrje ndaj askujt. Si mund t’i hakmerrem dikujt që ka qenë kryetari im? Unë jam kthyer për të mirën e qytetarëve të Gostivarit dhe për të ndalur shkatërrimin e qytetit nga Arben Taravari, që është vazhduar nga Valbon Limani. Nuk kam asnjë hatërmbetje ndaj zotit Ahmeti. Uji i Vardarit nuk kthehet prapë, ai ka shkuar; as unë nuk kthehem pas. Në këto zgjedhje nuk kam asgjë kundër z. Ahmeti. Përkundrazi, kërkoj mbështetjen edhe të votuesve dhe anëtarësisë së BDI-së për të mirën e qytetit të Gostivarit”, deklaroi Bejta

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, deklaroi se kandidatura e tij gëzon mbështetjen e plotë dhe unanime të të gjithë liderëve të VLEN-it./

Duke folur sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Bejta mohoi ekzistencën e ndonjë konflikti brenda koalicionit, duke theksuar se qëndrimi i liderëve ka qenë i përbashkët në përkrahje të tij.

“Nuk ka asnjë konflikt. Të gjithë liderët e VLEN-it kanë qenë unikë në përrahjen e kandidaturës sime për kryetar të komunës së Gostivarit. Jam i mbështetur nga të gjithë liderët e VLEN-it dhe kërkoj votën e partive që e përbëjnë VLEN-in, por edhe të gjitha partive të tjera që veprojnë në komunën e Gostivarit”, deklaroi Bejta.

/SHENJA/