Pas më shumë se katër dekadash transmetim, MTV po mbyll kanalet e saj globale muzikore në fund të këtij viti.
MTV Music, MTV Hits dhe programet muzikore nga vitet ’80 dhe ’90 do të ndërpriten gradualisht në disa vende evropiane gjatë muajve të ardhshëm, konfirmojnë burime nga kompania mëmë, Paramount, për agjencinë AFP.
Videoklipi “Video Killed the Radio Star” i grupit The Buggles ishte i pari që MTV transmetoi në vitin 1981, duke shënuar fillimin e një epoke të re në muzikë dhe kulturën pop.
Por sot, kanalet muzikore po shuhen për shkak të konkurrencës së fortë nga rrjetet sociale dhe platformat e transmetimit online.
Sipas mediave, programet muzikore do të ndërpriten në fund të vitit në Britani, Francë, Gjermani, Poloni, Australi dhe Brazil.

