Një incident i dhunshëm tronditi stacionin qendror të trenit në Würzburg të Gjermanisë, ku një burrë 35-vjeçar me origjinë afgane, i armatosur me thikë, sulmoi disa individë pranë një stende informacioni të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky sulm shkaktoi panik dhe ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.Ngjarja, sipas njoftimit zyrtar të policisë, ndodhi rreth orës 07:50 të mëngjesit në hyrje të stacionit.
Sulmuesi fillimisht goditi një burrë 68-vjeçar, për të vijuar më pas me sulmin ndaj dy personave të tjerë, përkatësisht 55 dhe 51 vjeç, duke i lënë ata të plagosur.Reagimi i shpejtë i kalimtarëve ishte thelbësor, por një rol kyç luajti edhe ndërhyrja e menjëhershme e një efektivi policie në civil, i cili, së bashku me qytetarët, arriti të neutralizonte agresorin. Menjëherë pas kësaj, një patrullë e Policisë Federale mbërriti në vendngjarje dhe bëri arrestimin provizor të autorit të sulmit.Policia konfirmoi se të tre personat e plagosur kanë pësuar lëndime të lehta dhe po marrin trajtim mjekësor.
Zona përreth stacionit hekurudhor është rrethuar dhe autoritetet kompetente po vijojnë hetimet intensive. Në kuadër të këtyre hetimeve, po shqyrtohen me kujdes pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë dhe po kontrollohet banesa e 35-vjeçarit, me qëllim zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij akti.

