18 Janar 2026 00:49

Prishtina pa buxhet Trafiku Urban nga nesër nderprët të gjitha linjat

Trafiku Urban ka dalë me njoftim pas konferencës për media të kryetarit të Komunës, Përparim Rama i cili njoftoi se nga dita e hënë, transporti publik në kryeqytet do të ndalet.

Të nderuar qytetarë,

Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.

Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.

Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.

Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.

Po ashtu dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka ngritur shqetësime serioze për situatën financiare dhe institucionale në kryeqytet, duke thënë se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.

“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, shërbime jetike të Kryeqytetit. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit, në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht me dispozitat ligjore kemi kërku alokimin e buxhetit që i duhet Kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtu. Buxheti i Prishtinës është blloku për çështje krejtësisht politike, 35 milionë euro kur prej tyre 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave me kundërshtim me ligjin dhe me kushtetutë. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Murati për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik”, tha Rama.