18 Janar 2026 00:09

PLANI I ERRËT TRUMP–PUTIN PËR UKRAHINEN

Zyrtarë amerikanë dhe rusë kanë hartuar në heshtje një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Një marrëveshje që do t’i kërkonte Kievit të dorëzonte territor dhe të reduktonte ndjeshëm ushtrinë e tij, sipas raporteve të së mërkurës, ndërkohë që sulmet e fuqishme ruse me dronë dhe raketa vranë të paktën 25 persona në qytetin perëndimor të Ternopilit.

Drafti i planit, i zhvilluar nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, parashikon masa “drakoniane” ndaj Ukrainës, duke i dhënë Rusisë kontroll të pashembullt mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Sipas The Guardian, propozimi pritet të shihet si një dorëzim i hidhur nga Kievi.

Dy zyrtarët kanë krijuar një kanal të rëndësishëm, por jozyrtar, komunikimi mes Moskës dhe Uashingtonit, ndërsa nuk ka ende qartësi nëse administrata Trump e mbështet zyrtarisht këtë iniciativë.

Sipas Financial Times dhe Reuters, plani do t’i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territoret lindore që tashmë kontrollon dhe të përgjysmonte ushtrinë e saj. Keto kushte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka cilësuar si “absolutisht të papranueshme”. Përfshihen gjithashtu kufizime të rrepta në ndihmën ushtarake amerikane dhe në kategoritë e armëve që Ukrainës do t’i lejohej të përdorte.

Plani 28-pikësh, i raportuar fillimisht nga Axios, thuhet se është frymëzuar nga një propozim i ngjashëm i administratës Trump për ndalimin e luftës në Gazë. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar.

Washingtoni ka sinjalizuar vazhdimisht se është afër një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet kanë dështuar pasi kërkesat favorizojnë dukshëm Moskën dhe imponojnë lëshime të rënda për Kievin.

Në mbrëmje, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dukej se i referohej këtij plani kur deklaroi se paqja e qëndrueshme kërkon “lëshime të vështira, por të domosdoshme” nga të dyja palët. Ai konfirmoi se SHBA po harton një listë idesh të reja për t’i dhënë fund luftës, duke marrë parasysh kërkesat e të dy vendeve.

Raportet për planin dolën në dritë teksa Rusia lëshoi një sulm masiv në Ukrainën perëndimore, duke goditur ndërtesa shumëkatëshe në Ternopil dhe objekte të rëndësishme energjetike në Ivano-Frankivsk dhe Lviv. Qëllimi i sulmeve duket qartë: paralizimi i infrastrukturës energjetike të Ukrainës përpara dimrit.

Presidenti Zelensky, pas takimit me presidentin turk Erdogan, tha se synon të “ringjallë negociatat” për një “paqë të drejtë”. Ai u bëri thirrje aleatëve të tij të rrisin presionin ndaj Rusisë dhe të sigurojnë sisteme të reja mbrojtjeje ajrore.