18 Janar 2026 01:17

Mickoski: Konsultimet me VLEN-in për ministrat e rinj po vazhdojnë, emrat priten në fillim të javës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se procesi i konsultimeve me koalicionin VLEN për përzgjedhjen e ministrave të rinj është ende në zhvillim. Ai theksoi se bisedimet po avancojnë dhe se pritet që në fillim të javës së ardhshme të bëhet publik lista përfundimtare e kandidatëve.

Sipas Mickoskit, nuk do të pritet përfundimi i kongresit të VMRO-DPMNE-së për të proceduar me emrat e propozuar për postet ministrore. Kryeministri konfirmoi se afatet institucionale do të respektohen dhe se dërgimi i propozimeve në Kuvend do të ndodhë brenda ditëve në vijim.

“Konsultimet janë duke vazhduar. Nuk do të presim kongresin e VMRO-së. Emrat e ministrave do t’i dorëzojmë në fillim të javës së ardhshme”, deklaroi Mickoski, raporton Identiteti.info

Ai shtoi se pas finalizimit të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, partia dhe institucionet do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh të planifikuara, duke i cilësuar këto procese si “hapa të domosdoshëm për funksionimin normal politik dhe institucional”.

“Më pas kemi plan për aktivitete që planifikojmë t’i bëjmë si brenda partisë, ashtu edhe me institucionet. Të ecim hap pas hapi”, përfundoi kryeministri. H.Abazi/Identiteti