Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka firmosur vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, vetëm pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive parlamentare. Lajmin e konfirmoi kryetari i GUXO-s, Faton Peci, i cili tha se presidentja nuk kishte asnjë opsion tjetër për shkak të rrethanave të krijuara.
Sipas Pecit, vendimi pason dështimin e mandatit të dytë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Glauk Konjufca nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke përmbyllur kështu të gjitha afatet kushtetuese pas zgjedhjeve të 26 tetorit.
Me shpërndarjen e Kuvendit, vendi hyn zyrtarisht në proces zgjedhor. Kushtetuta e obligon presidenten të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh. Gjatë konsultimeve me partitë politike, si data të mundshme janë propozuar 21 dhe 28 dhjetori.
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës.


