18 Janar 2026 00:37

VLEN: Zhvillimet e fundit tregojnë krizë të thellë brenda AKI-së

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj lëvizjeve të fundit në kampin opozitar politik shqiptar, duke i cilësuar ato si dëshmi të qartë të një krize të thellë brendapartiake në koalicionin AKI.

Sipas VLEN-it, largimi i ASH-së së Ziadin Selës dhe tërheqja e Krenar Llogës nuk janë raste sporadike, por pjesë e një zinxhiri zhvillimesh që tregojnë shpërbërjen e një strukture politike të ngritur pa kauzë, pa vizion dhe pa drejtim të qëndrueshëm.

Në reagimin e tyre thuhet se mungesa e kohezionit të brendshëm, konfliktet e vazhdueshme dhe pamundësia për të krijuar një projekt politik funksional kanë bërë që AKI të mbetet një koalicion vetëm në letër, ndërsa në terren po humbet ndikim, figura politike dhe mbështetje qytetare.

VLEN vlerëson se këto zhvillime shpalosin një realitet që, sipas tyre, ka qenë i dukshëm prej kohësh: një aleancë që nuk ka arritur të ndërtojë platformë të qartë, as të mbajë të bashkuar strukturat që e përbëjnë.

Reagimi i plotë:

Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme. Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme.
Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët.
VLEN mbetet forca e vetme e konsoliduar, me program, me vizion dhe me strukturë të qartë shtetndërtuese. Ndërsa AKI po shpërbëhet pjesë-pjesë, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë.
VLEN do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët, ndërsa të tjerët merren me shpërndarjen e një koalicioni që asnjëherë nuk e pati një kauzë të vetën./IDENTITETI