Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili para një viti deklaronte se “bashkimi është amanet i Kongresit të Alfabetit, kur shqiptarët u bashkuan për një shqiptari drejt Evropës dhe SHBA-ve”, Por së priti 22 Nëntorin Ditën e Alfabetit në një atmosferë krejt tjetër politike ai tashmë u divorcua nga AKI-ja
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët mbajti mbledhjen e radhës, pas së cilës njoftoi se tashmë zyrtarisht shkëputet nga koalicioni AKI, me të cilin garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Vendimi, sipas komunikatës së partisë, u mor unanimisht, ndërsa deputetët e ASH-së pritet që në ditët e ardhshme të formalizojnë në Kuvend krijimin e grupit të tyre parlamentar si grup i pavarur. ASH ritheksoi se do të mbetet “zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve”, duke ruajtur komunikimin me subjektet e tjera opozitare. Partia paralajmëroi një fushatë të gjerë takimesh me anëtarësinë, qytetarët dhe aktorët politikë e shoqërorë, me synim forcimin e strukturave në këtë periudhë të ndjeshme politike.
Megjithëse koalicioni me të cilin garuan doli fitues në nivel kombëtar për listat e këshilltarëve, ASH shprehu pakënaqësi të thellë për rezultatin në garën për kryetarë komunash. Partia akuzoi për “inzhiniering të fuqishëm shtetëror” dhe bashkëveprim të partive shqiptare në pushtet me subjektet maqedonase, që sipas tyre kishte për qëllim realizimin e platformës së VMRO-DPMNE-së për “defaktorizimin e shqiptarëve”. Në njoftimin e saj, ASH theksoi se kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe në Kushtetutë, si dhe adresimi i “dëmeve të shkaktuara nga Qeveria aktuale”, mbeten prioritetet kryesore të partisë. Pas largimit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, mbetet e hapur pyetja se cili do të jetë fati politik dhe organizativ i koalicionit AKI në periudhën që pason.

