TIRANË – Një incident i rëndë diplomatik dhe politik është regjistruar në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku tre deputetë shqiptarë të koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut janë ndaluar dhe penguar të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Ngjarja ka pasuar me një valë të ashpër reagimesh nga krerët e opozitës në Tiranë, të cilët e kanë cilësuar këtë si një akt të paprecedent dhe goditje ndaj marrëdhënieve ndërshtetërore.
Nga Astrit Gashi
Sipas denoncimeve të bëra publike, zyrtarët e bllokuar nga Policia e Shtetit janë: Bekim Çoku – Koordinator i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Adnan Azizi Deputet i VLEN. Hasim Myrtezani Deputet dhe njëherësh Zëvendëssekretar i Përgjithshem në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut
Të tre zyrtarët e lartë udhëtonin me pasaporta diplomatike, çka e bën incidentin edhe më sensitiv në rrafshin e protokollit ndërkombëtar.
Berisha: “Një akt i shëmtuar si në kohën e Enver Hoxhës“
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar urdhrin e ndalimit si një shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare.
“Në një akt antishqiptar të paprecedent që nga diktatura e Enver Hoxhës, dhe në një skandal shumë të rëndë diplomatik dhe politik, dje me urdhër të Edi Ramës, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Shqipërisë tre deputetë të koalicionit VLEN. Ata u trajtuan dhe u ndaluan sikur të ishin terroristë,” u shpreh Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike u kërkoi ndjesë publike të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe e krahasoi qasjen e qeverisë aktuale me regjimet e Lukashenkos dhe Maduros, duke pretenduar se ky bllokim synon të zhvendosë vëmendjen nga protestat e brendshme qytetare.
Bardhi: “Policia të japë sqarim urgjent, u shkel detyrimi kushtetues”
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka quajtur sjelljen e Policisë së Shtetit si plotësisht të papranueshme dhe denigruese ndaj përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të RMV-së.
Bardhi kërkoi hetim të menjëhershëm dhe llogaridhënie për përgjegjësit
Policia e Shtetit duhet të zbardhë urgjentisht dhe me transparencë arsyet e këtij ndalimi. Veprime të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet vëllazërore mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Shqipëria ka detyrim kushtetues dhe moral të mirëpresë e të mbrojë shqiptarët kudo që jetojnë, jo t’i pengojë ata.
Ky incident vjen në një moment delikat politik dhe ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi motivet që çuan në bllokimin e zyrtarëve me imunitet diplomatik. Deri më tani, nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Brendshme apo Policisë së Shtetit nuk ka pasur ende një sqarim të detajuar se mbi çfarë motivesh apo urdhërash u krye procedura e ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës.

