23 Tetor 2026 23:44

Bllokohet Serbia në Bruksel: Tetë shtete bllokojnë kapitullin 3, Franca nuk e shpëton dot Beogradin

BRUKSEL – Përpjekja e Serbisë për të bërë një hap përpara drejt integrimit evropian ka dështuar me zhurmë në Bruksel. Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë bllokuar arritjen e konsensusit unanim të nevojshëm për hapjen e “Kapitullit 3” (Klasterit për Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse), duke lënë Beogradin sërish në dhomën e pritjes.

Në takimin e ambasadorëve të BE-së, një “front” i fuqishëm i përbërë nga Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia refuzuan prerazi të jepnin dritën e gjelbër. Ndërkohë, tri vende të tjera – Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia – ndonëse nuk votuan hapur kundër, u rreshtuan në krahun skeptik, duke vlerësuar se Serbia është ende larg përmbushjes së kushteve.

Nga ana tjetër, Franca e Emmanuel Macron-it u konfirmua si avokatja kryesore e palës serbe, duke shtyrë fort pro hapjes së negociatave, por pa sukses.

Ky vendim përbën një “goditje” të fortë diplomatike për vetë Komisionin Evropian. Pak ditë para takimit, KE u kishte shpërndarë vendeve anëtare një dokument ku vlerësonte se Beogradi kishte shënuar “përparim në reformën në drejtësi, lirinë e medias dhe kuadrin zgjedhor”. Komisionerja e re për Zgjerim, Marta Kos, doli publikisht në mbrojtje të këtij rekomandimi, por argumentet e saj u rrëzuan përpara realitetit gjeopolitik.

“Me një grup kaq të madh shtetesh që kundërshtojnë për çështje kaq themelore, është e vështirë të imagjinohet se ky propozim do të rikthehet shpejt në tryezë”, deklaroi një diplomat evropian për mediat. Një tjetër zyrtar u tregua edhe më i ashpër, duke paralajmëruar: “Përdorimi i zgjerimit si instrument gjeopolitik funksionon derisa vendi të hyjë në BE, e pastaj shndërrohet në një problem gjeopolitik me përmasa të mëdha”.

Se ku e shihte Komisioni Evropian përparimin e Serbisë, kjo mbetet një mister edhe për Parlamentin Evropian. PE miratoi raportin për zgjerimin e Serbisë (468 vota pro, 116 kundër), por gjuha e përdorur ishte tejet kritike.

Raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, u shpreh i prerë:

“Reformat janë ndalur dhe ritmi i tyre është ngadalësuar. Ato kanë ngecur në fusha kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike. Mbetet e paqartë se ku e sheh Komisioni përparimin.”

Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE që në vitin 2009 dhe statusin e kandidatit e mori në vitin 2012. Megjithatë, bilanci i saj mbetet i varfër: nga 22 kapituj të hapur në total, vetëm dy janë mbyllur përkohësisht.

Kapitulli i fundit për Beogradin është hapur në fund të vitit 2021. Katër vite më pas, procesi mbetet plotësisht i ngrirë, duke dëshmuar se “loja me dy karrige” e Serbisë midis Brukselit dhe Moskës po kushton shtrenjtë në rrugën e saj evropiane.