17 Mars 2026 19:20

“S’ka përçarje, ka parime” Fetai reagon ndaj raportimeve të Alsat

Arben Fetai ka reaguar ndaj raportimeve të Alsat për gjoja mosmarrëveshje mes tij dhe koalicionit VLEN, duke i cilësuar ato si insinuata të pabazuara dhe duke kërkuar publikisht fakte konkrete.

Në reagimin e tij, Fetai thekson se është i hapur për çdo debat të bazuar në argumente, por kundërshton kategorikisht pretendimet për përçarje personale. Ai sqaron se dallimet ekzistuese lidhen me qëndrime parimore, konkretisht me kundërshtimin ndaj modelit të udhëheqjes me dy kryetarë në VLEN.

Sipas tij, ky qëndrim nuk është individual, por vendim i përbashkët i Aleanca për Shqiptarët, i mbështetur edhe nga figura të partisë që më herët e kanë konsideruar këtë model të papranueshëm.

Fetai gjithashtu ngre pikëpyetje për ndryshimin e qëndrimeve të disa eksponentëve politikë, duke kërkuar sqarime publike për arsyet e këtij transformimi.

Në deklaratën e tij, ai rikujton angazhimin e tij politik ndër vite, duke përfshirë distancimin nga bashkëqeverisja me SDSM dhe BDI, si dhe rolin në krijimin e VLEN-it.

Fetai vlerëson se kontributi i tij dhe i strukturave të ASH-së ka qenë vendimtar për formimin e koalicionit dhe për pengimin e rikthimit të BDI-së në pushtet.

Në fund, ai u bën thirrje përfaqësuesve të VLEN-it, përfshirë Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Bekim Qoku, që të deklarohen nëse kanë pasur ndonjëherë mosmarrëveshje me të.

Ai përfundon se e vërteta duhet të dalë përmes fakteve dhe jo përmes, siç i quan ai, insinuatave.