Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot në Shkup do të organizojë protestë të punëtorëve, duke kërkuar rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje lineare të të gjitha pagave të tjera për të paktën 6.000 denarë.
Protesta do të fillojë në ora 12:05 para “Rabotniçki dom”.
Ruta e lëvizjes do të nis nga ndërtesa e LSM-së në rrugën “Mirçe Acev” në Qendër, do të vazhdojë nëpër rrugët “Filipi i Dytë i Maqedonisë”, “11 Tetori”, “Dimitrie Çupovski”, “Dame Gruev” dhe bulevardi “VMRO”, ndërsa do të përfundojë në bulevardin “Ilinden”.
Ndalesa është paraparë para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe para Qeverisë, ku përfaqësuesit e LSM-së dhe punëtorët do të dërgojnë kërkesat dhe mesazhet kryesore.
Vendimi për dalje në rrugë, siç informoi paraprakisht kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov, vjen pas injorimit dhe mospërmbushjes së kërkesave sindikale nga ana e Qeverisë dhe punëdhënësve. Ata parashikojnë harmonizim ligjor të pagës minimale për vetëm 1.667 denarë, shumë që, sipas Sindikatit, nuk e mbulon as vlerën e rritur të shportës konsumatore sindikaliste. Për pjesëmarrësit nga qytetet e tjera është organizuar transport./Alsat

