Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shprehur sërish shqetësim të thellë për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Ai theksoi se, sipas vlerësimeve amerikane, kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë superiorë ndaj ushtrive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Vuçiç sqaroi se kjo analizë bazohet në indekse ndërkombëtare, duke theksuar se “nuk është pikëpamja ime, por e tyre.”
Duke folur për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, presidenti serb e cilësoi atë si “kërcënimin më të madh” për Serbinë. Ai argumentoi se qëllimi i këtij bashkëpunimi është ushtrimi i presionit ndaj Beogradit. Këto deklarata, të raportuara nga 4news.mk, pasqyrojnë një qëndrim të vazhdueshëm të Vuçiç, i cili ka shprehur shqetësime të ngjashme edhe në të kaluarën.
Më tej, Vuçiç spekuloi se formimi i kësaj aleance ka për qëllim përgatitjen e terrenit për një konflikt të mundshëm në Evropë. “Ata e formuan këtë me qëllim që të presin mundësinë e një konflikti mes Evropës dhe Federatës Ruse, e kur kjo të ndodhë, të mund të kryejnë një invazion ndaj Serbisë nga disa drejtime të ndryshme,” citohet të ketë thënë ai. Këtë qëndrim e kishte shprehur edhe më parë, më 13 shkurt nga Mynihu, duke e quajtur aleancën ushtarake Kroaci Prishtinë Tiranë si “kërcënimin më të madh për Republikën e Serbisë.”
Komentet e fundit të Vuçiç vijnë ndërsa ai ndodhet në Indi, ku po merr pjesë në një samit global kushtuar inteligjencës artificiale. Sipas portalit “KoSSev”, atje presidenti serb ka zhvilluar takime të rëndësishme me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

