12 Shkurt 2026 01:38

Limani uron Kurtin dhe Haxhiun: Kosova shtyllë e stabilitetit për shqiptarët në rajon

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limani, ka uruar Kryeministrin e rizgjedhur të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Kryetaren e sapozgjedhur të Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Në një mesazh zyrtar urimi, Limani vlerësoi proceset demokratike në Kosovë, duke i cilësuar ato si faktor me ndikim të drejtpërdrejtë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë rajonin.

“Proceset politike në Republikën e Kosovës mbartin një peshë specifike dhe kanë një lidhje të natyrshme me zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Konsolidimi i institucioneve demokratike në Kosovë shërben si një shtyllë e rëndësishme mbështetëse për vizionin tonë të përbashkët euroatlantik”, thuhet në telegramin e urimit.

Ministri Limani theksoi nevojën për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke propozuar që mbledhja e ardhshme e dy qeverive të zhvillohet në një afat sa më të shpejtë. Sipas tij, takimi do të shërbejë për konkretizimin e marrëveshjeve strategjike, me theks të veçantë në politikat sociale, fuqizimin e rinisë dhe përballjen me sfidat demografike që prekin të dyja shtetet.

Në përmbyllje, Limani rikonfirmoi gatishmërinë e ministrisë që ai drejton për të thelluar bashkëpunimin, duke synuar që partneriteti ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës të shndërrohet në model të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.