Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot nis paraqitja e fjalës përmbyllëse të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, në kuadër të fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, ka njoftuar se deklarata përmbyllëse do të nisë në orën 09:00. Kjo shënon ditën e tretë të paraqitjeve përfundimtare në një prej proceseve më të mëdha që po zhvillohet në Hagë.
Një ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmbylli paraqitjen e saj, ndërsa më pas argumentet i paraqiti edhe mbrojtësi i viktimave. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë administruar mbi 5 mijë prova materiale dhe janë intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga trupi gjykues dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që në total përbën 180 vjet burgim.
Gjatë fjalës së saj përmbyllëse, Prokuroria pretendoi se Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke iu referuar dëshmive të James Rubin dhe Wesley Clark.
Kërkesa për dënime ka nxitur reagime në Kosovë dhe në rajon. Disa liderë politikë kanë vlerësuar se masa e kërkuar nuk mbështetet në standarde ndërkombëtare dhe kanë theksuar se UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të drejtë.
Faza e deklaratave përmbyllëse përbën etapën e fundit të procesit gjyqësor. Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet e mbrojtjes dhe vetë të akuzuarit do të kenë mundësinë që gjatë kësaj dhe javës së ardhshme të paraqesin për herë të fundit argumentet e tyre para trupit gjykues.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i kanë hedhur poshtë si të pabazuara. Mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese dhe se përgjegjësia individuale nuk është provuar.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës. Ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë që nga ajo kohë.

