9 Shkurt 2026 19:13

Fetai: Ministria e Drejtësisë po shkel ligjin për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për të mos lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përmes një komunikate, Fetai e ka cilësuar këtë veprim si “arbitrar dhe juridikisht të pambështetur”, duke paralajmëruar kërkesë për llogaridhënie ligjore.

Sipas Fetait, rasti tashmë është në duart e mekanizmave monitorues. Ai bëri të ditur se pritet që Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të shqyrtojnë veprimet e Ministrisë së Drejtësisë.

“Nëse konstatohet shkelje, do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë, sipas ligjit, për moszbatim të obligimeve të tij,” deklaroi Fetai.

Fetai theksoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet, pavarësisht mangësive që mund të ketë. Ai hodhi poshtë pretendimet se provimi duhet të jetë ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, duke i quajtur ato si interpretime pa bazë ligjore

Në mbyllje të reagimit të tij, zëvendëskryeministri ishte i prerë: “Ligji zbatohet. Përgjegjësia nuk anashkalohet.” Ky zhvillim pritet të nxisë debate të reja mbi zbatimin e dygjuhësisë në institucionet e larta të drejtësisë në vend.