7 Shkurt 2026 12:18

Limani: Prindërimi kërkon maturi mbinjerëzore për të mbrojtur familjen

Ministri i Politikave Sociale, Rinisë dhe Demografisë, Fatmir Limani, përmes një mesazhi publik ka bërë thirrje për një ndërgjegjësim më të lartë prindëror, duke e cilësuar përgjegjësinë ndaj fëmijëve si shtyllën kryesore të stabilitetit shoqëror.

Sipas ministrit Limani, prindërit mbajnë një barrë detyrimesh që në momente të caktuara kërkojnë një “durim dhe maturi mbinjerëzore”. Ai ka theksuar se prioriteti absolut i çdo prindi duhet të jetë mbrojtja e interesave të pasardhësve, pavarësisht sfidave të kohës.

“Veprimet e papërgjegjshme rëndojnë mbi të pafajshmit dhe pasojat e tyre çojnë në shkatërrimin e bërthamës familjare,” ka paralajmëruar Limani.

Në reagimin e tij, ministri vë në dukje se dështimi në ushtrimin e kësaj përgjegjësie nuk mbetet një akt individual, por reflektohet drejtpërdrejt te fëmijët, të cilët mbeten viktimat kryesore të mungesës së stabilitetit brenda shtëpisë. Ky mesazh vjen si një thirrje për reflektim ndaj rolit të prindit si mbrojtësi kryesor i bërthamës së shoqërisë dhe parandalimin e pasojave që dëmtojnë të ardhmen e gjeneratave të reja.