Ish- kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka adresuar çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit rreth provimit të jurisprudencës.
Sipas Ibrahimit, ka pasur një dezinformim të gjatë ndaj zyrtarëve të lartë në Tiranë lidhur me statusin real të gjuhës shqipe në shtetin shqiptar.
“Ra provimi i jurisprudencës e u pamë”
Ibrahimi thekson se pas shumë viteve “gënjeshtrash” ndaj kryeministrit të Shqipërisë, e vërteta ka dalë në shesh përmes pamundësisë së zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Më në fund edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup e mori vesh se shqipja te ne nuk qenka zyrtare dhe se një provim i jurisprudencës në shtetin tonë nuk mbaheshka edhe shqip për së paku dy dekada me radhë,” shkruan Ibrahimi.
Në reagimin e tij, ish, kreu i Alternativës vë në dukje se ky proces ka dëshmuar ngecjen e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet e drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një moment vetëdijësimi për diplomacinë shqiptare.
Ibrahimi e përfundon reagimin e tij me ironi, duke thënë se “asnjëherë nuk është vonë për ta kuptuar të vërtetën.”

