Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se sot është miratuar Ligji për kundërvajtje, ndërsa nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i projektit “Safe City”, i cili synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aksidenteve në komunikacion.
Iseni theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë në rrugë, duke sqaruar se “Safe City” nuk reduktohet vetëm në vendosjen e kamerave, por ka për qëllim shpëtimin e jetëve dhe vendosjen e rendit në komunikacion.
“‘Safe City’ nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish,” deklaroi Iseni.
Ai akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar qëndrimin e tyre si sabotim të një ligji jetik për qytetarët. Sipas tij, BDI fillimisht e kishte mbështetur projektin, por më pas ka ndryshuar qëndrim për arsye politike.
“Sot u pa qartë se për ta siguria publike vlen më pak se interesat partiake,” u shpreh Iseni, duke shtuar se kjo situatë, sipas tij, tregon se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, “nuk e kontrollon as grupin e vet parlamentar”.
Zëvendësministri theksoi se koalicioni VLEN do të vazhdojë me zbatimin e projektit, pavarësisht kundërshtimeve politike.
“VLEN nuk tërhiqet dhe nuk frikësohet. ‘Safe City’ do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve, jo të pazareve,” deklaroi ai.
Projekti “Safe City” pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt dhe ka për qëllim rritjen e kontrollit dhe sigurisë në komunikacion përmes përdorimit të teknologjisë dhe zbatimit të masave të reja ligjore.

