22 Janar 2026 10:27

BE-ja ngrin punën për marrëveshjen tregtare me SHBA-në “deri në një njoftim të mëtejshëm”

Bashkimi Evropian ka pezulluar punën për marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, sipas një deklarate të bërë sot nga kryetari i Komisionit për Tregti të Parlamentit Evropian

“Tani është zyrtare: marrëveshja BE–SHBA është pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm!”, shkroi Bernd Lange në platformën sociale X.

Sipas Lange, ekipi negociator ka vendosur të ndalojë punën e Komisionit të Tregtisë të Parlamentit Evropian lidhur me zbatimin ligjor të marrëveshjes së Turnberryt.

“Sovraniteti dhe integriteti ynë territorial janë vënë në rrezik. Vazhdimi i punës në kushte normale është i pamundur”, theksoi ai, duke iu referuar tensioneve që lidhen me Grenlandën dhe tarifat doganore.

Ende nuk është e qartë nëse marrëveshja tregtare është braktisur plotësisht apo nëse dispozitat që kanë hyrë tashmë në fuqi do të vazhdojnë të zbatohen.

Marrëveshja, e arritur si një ujdi paraprake në korrik, parashikonte vendosjen e tarifave prej 15 për qind për mallrat e BE-së të eksportuara drejt SHBA-së. Një pjesë e madhe e saj ishte zbatuar edhe përpara nënshkrimit zyrtar.