Sot shënohet me pietet 20-vjetori i ndarjes nga jeta të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Parë historik të Kosovës. Figura e tij mbetet një simbol i patjetërsueshëm i udhëheqjes politike, intelektualizmit të thellë dhe studiuesit të zellshëm të letërsisë shqipe. Në këtë ditë përkujtimore, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe, duke nderuar trashëgiminë e një personaliteti që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shtetndërtimit kosovar.
Rugova u bë kryetar themelues dhe më jetëgjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e drejtuar atë nga 23 dhjetori i vitit 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006. Në një periudhë tejet të vështirë, kur autonomia e Kosovës ishte suprimuar nga regjimi serb, ai u zgjodh President i Republikës së shpallur më 7 shtator 1990, duke marrë detyrën më 24 maj 1992. Ky rol i dha legjitimitet institucional përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Përgjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Rugova luajti një rol vendimtar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Me konsistencën e tij në zgjedhjen e rezistencës paqësore dhe me një urtësi të thellë diplomatike, ai arriti të imponojë praninë e Kosovës në arenën globale. Takimet e tij me liderë botërorë, përfshirë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ishin dëshmi e qartë e suksesit të tij në afirmimin e aspiratave të Kosovës dhe orientimin e saj të qartë drejt vlerave euroatlantike.
Para angazhimit politik, Ibrahim Rugova, i lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, kishte ndërtuar një karrierë të shkëlqyer akademike. Pas studimeve për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe doktoroi në vitin 1984, ai punoi si studiues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke botuar dhjetëra studime dhe vepra të rëndësishme. Trashëgimia e Rugovës mbetet e pashlyeshme, siç theksoi edhe Kryeministri Kurti, duke e cilësuar atë si një udhëheqës vizionar, një model frymëzues dhe një simbol të fuqishëm të rezistencës kombëtare dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës.

