Një grabitje e rëndë ka tronditur sot Prishtinën, ku një argjendari në rrugën “Agim Ramadani”, e identifikuar si “OXA GOLD”, dyshohet se është thyer me forcë. Nga lokali janë marrë sasi të mëdha ari, me një vlerë financiare tepër të lartë, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm për pronarët dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë.
Sipas burimeve të sigurta pranë Policisë, njoftimi për këtë incident u pranua më 19 janar 2026, rreth orës 10:00. Patrullat policore menjëherë u nisën drejt vendit të ngjarjes, ku takuan ankuesin. Ai deklaroi se pas mbërritjes në dyqan, rreth të njëjtës orë, kishte konstatuar se muri i argjendarisë ishte çarë me forcë, ndërsa kasaforta dhe të gjitha kutitë ku ruheshin bizhuteritë ishin gjetur të zbrazura dhe të shpërndara në tokë.
Menjëherë pas njoftimit, në lokacion u angazhuan edhe njësitë e hetuesve dhe forenzikës. Ata mbërritën rreth orës 10:30, duke nisur procedurat standarde të një hetimi penal. Ekipet kryen dokumentimin fotografik të vendit të ngjarjes dhe filluan mbledhjen e provave materiale, duke siguruar çdo detaj që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit.
Për shkak të shumës së madhe të vjedhur, e cila konsiderohet tejet e lartë, në hetim u përfshi menjëherë edhe Hetuesia Rajonale. Sipas deklaratës së ankuesit, vlera paraprake e arit të grabitur arrin rreth 600 mijë euro, ndërsa burime të tjera sugjerojnë se kjo shifër mund të shkojë deri në 650 mijë euro. Rasti është nën hetim intensiv nga organet kompetente, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj grabitjeje me përmasa të mëdha.

