17 Janar 2026 14:24

Ministri Fatmir Limani: Janari, flaka e përjetshme e historisë shqiptare

Me rastin e përvjetorëve historikë të 17 janarit, Ministri i Demografisë, Rinisë dhe Gruas, Fatmir Limani, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm përkujtimor, duke e cilësuar këtë datë si “Flakën ndër shekuj” që bashkon epoka, sakrifica dhe idealin e lirisë shqiptare.

Në deklaratën e tij, ministri Limani rikujtoi se më 17 janar 1468, në Lezhë, u nda nga jeta heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura që përfaqëson jo vetëm strategun ushtarak, por edhe arkitektin e unitetit shqiptar. Sipas Limanit, Skënderbeu mbetet simboli udhërrëfyes i identitetit dhe bashkimit kombëtar, një model i domosdoshëm edhe për sfidat e kohës moderne.

“Emri i Skënderbeut nuk është skalitur vetëm në gurët e kalave, por në çdo rrahje zemre shqiptare”, thekson ministri, duke nënvizuar se bashkimi rreth një kauze të drejtë është çelësi i mbijetesës sonë si komb.

Mesazhi i Limanit ndalet edhe në një tjetër ngjarje tragjike të 17 janarit, atë të vitit 1982, kur në Untergruppenbach të Gjermanisë u vranë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ministri e cilëson vrasjen e tyre si një përpjekje për të shuar “Flakën e Janarit”, por që në realitet, sipas tij, shërbeu për të ndezur edhe më fort revoltën dhe rezistencën popullore, duke u bërë themel i lëvizjes për çlirimin e Kosovës.

“Lavdia u takon atyre që bien për liri, ndërsa kujtesa na përket neve”, thuhet në mesazh, duke vënë theksin në përgjegjësinë kolektive për të mos harruar çmimin e paguar për lirinë dhe shtetin.

Në përmbyllje, ministri Fatmir Limani thekson se për shqiptarët janari nuk është thjesht një muaj dimri, por muaji i përjetësisë, i sakrificës dhe i lavdisë kombëtare, nga Kruja e Skënderbeut e deri te flijimi i atdhetarëve në mërgim.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Gjergj Kastriotin dhe për të gjithë të rënët për atdhe, në kohë dhe vise të ndryshme”, përfundon mesazhi i ministrit.